Pa ndonjë debat në seancën plenare, por më shumë përplasje në seancat e komisioneve kuvendore, ndryshimet e kërkuara në ligjin për lojrat e fatit, janë gati të botohen në Fletoren Zyrtare dhe 15 ditë pas këtij afati të hyjnë në fuqi.
72 deputete të maxhorancës votuan projektligjin, me ndryshimet e propozuara dhe amendamentet përkatëse për këtë projektligj.
Sikurse është bërë e njohur edhe nga RTSH, qëllimi kryesor i ligjit, të miratuar tashmë, është rikthimi i kategorisë së Basteve Sportive, por vetëm në formën Online.
Qeveria kërkoi formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori loje, duke licencuar subjekte, të cilat kanë eksperiencë në ushtrimin e aktivitetit baste sportive.
Tashmë, është e garantuar se, të ardhurat e mbledhura nga aktiviteti i basteve sportive online, do të financojnë mbështetejen direkte në fushën e sportit, kulturës, inovacionit dhe teknologjisë së inovacionit, por dhe financimin e programeve të mbrojtjes së lojtarit.
Deri në vitin 2018 kanë ushtruar veprimtarinë në kategorinë e “Basteve Sportive” tre kompani, me 4214 njësi në të gjithë teritorin e vendit, duke punësuar 6700 punonjës. Kompanitë ishin licencuar për një afat 10 vjeçar në këtë kategori loje.
Edhe pse aktiviteti i Basteve Sportive u ndalua me ligj, ky aktivitet u kanalizua të ushtrohej në të zezë.
Deputetët e maxhorancës kërkuan dhe miratuan edhe ndryshime që lidhen me rishikimin e mënyrës së licensimit, kritere më të forta për organizatorët e lojrave të fatit, sigurim të platformave online të sigurta, kryerjen e pagesave vetëm nëpërmjet agjentëve financiare; sigurimin e mbrojtjes së lojtarit, etj.
Ky ndryshim ligjor shoqërohet dhe me efekte finaciare të cilat janë rrjedhim i taksimit të organizatorëve dhe lojtarit.
Sakaq Qeveria duhet të hartojë e miratojë brenda 6 muajve aktet nënligjore në zbatim të ndryshimeve ligjore të lojrave të fatit.
Gazetar Bardhi Sjedarasi
/ rtsh.al /