Pa kaluar 24 orë nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, nga ku kryeministri Edi Rama kërkoi angazhim maksimal për të fituar mandatin e katërt, Bledi Çuçi mblodhi deputetët e majtë.
Kërkesën për ta kreu i grupit parlamentar socialist, e pati specifike këtë herë: të dalin sa më shumë në terren, pasi fushata tashmë ka nisur.
“Duhet një prezencë e shtuar fizike në terren sipas zonave tuaja. Konsiderojeni këtë si një periudhë fushate duke nisur që nga dje. Është shumë e rëndësishme që procesin zgjedhor brenda partisë ta ndjekim personalisht. Ka nevojë për ritëm të shtuar për të kapur afatet” u shpreh Çuçi.
Me këtë objektiv përpara, në plan të dytë të diskutimeve ishte axhenda parlamentare, e cila edhe këtë javë në rend të ditës do të shmangë ligjet që kërkojnë edhe votat e opozitës. Amnistia Penale pritet të kalojë javën e ardhshme, ndërsa edhe pse nuk i duhet vota, PS ka ende një datë për ligjin e basteve, të shtyrë të enjten e kaluar.
Asambleja e PS e mbajtur një ditë më parë kaloi në skaner analizën e detajuar të punës së bërë në 12 qarqet e vendit, bashki më bashki nga strukturat e PS. Në përfundim të saj, Rama nuk shpalosi vetëm objektivin për një fitore shembullore, sic e quajti ai, por iu përgjigj për herë të parë edhe akuzave nga arratia të Arben Ahmetajt.