Në ditën e tretë të hetimeve pas atentatit të shënuar në Kurbin me objektiv biznesmenin Ardian Gjeloshi, policia gjeti 2 automjete të djegura dhe 4 automatik në shtrarin e lumit Mat që dyshohet se janë përdorur në krim.
Megjithatë atentati ku dhe u vra ekonomisti i firmës, Selman Mihana vijon të mbetet pa autor. Në deklarimet e tij para hetuesve, teksa ka treguar dinamiken e ngjarjes, biznesmeni Gjeloshi ka mohuar të ketë konflikte, duke mos e orientuar grupin hetimor drejt një piste hetimi.
Ndërkohë përgjatë dy ditëve janë shoqëruar dhe marrë në pyetje një numër i konsiderueshëm personash të cilët mund të kenë dijeni rreth ngjarjes.
Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek hasmëria, e cila lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2002 ku mbeti e vrarë një grua dhe u plagos një efektiv policie dhe të dyshuar për krimin kanë qenë 51-vjeçari Gjeloshi së bashku me vëllanë e tij.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka dyshime të forta se autorët mund të kenë qenë vrasës me pagesë, që mund të kenë ardhur nga zona e Krujës e më pas janë larguar përmes rrugëve dytësore me një automjet Rang Rover me ngjyre të zezë i cili rezulton të jetë i vjedhur.
Lëvizjet e tyre janë filmuar nga kamerat e sigurisë në zonë, por nuk është arritur identifikimi pasi mbanin maska.
Atentati me armë zjarri ndodhi rreth orës 7:00 të mëngjesit të së shtunës, sapo objektivi hyri në biznesin e përpunimit të inerteve në pronësi të tij, ndërsa referuar dinamikës së ngjarjes mendohet se autorët i kanë ruajtur lëvizjet e tij.