4 persona dyshohet se morën pjesë në atentatin e mëngjesit të së shtunës ndaj biznesmenit Ardjan Gjeloshi, ku ai mbeti i plagosur dhe humbi jetën 70-vjeçari Selman Mihana, ekonomist pranë kompanisë së përpunimit të inerteve në Gurëz të Kurbinit.

Në këtë përfundim kanë dalë hetuesit deri në këtë fazë, pas verifikimit të kamerave të sigurisë dhe provave të grumbulluara.

Burime bëjnë me dije se shënjestra e këtij atentati, biznesmeni i inerteve ka dyshime të jetë ruajtur në momentin që ka mbërritur në ambientet e kompanisë së tij në brendësi të së cilës kishte dhe punonjës të tjerë.

Sapo kanë parë që objektivi i tyre ka mbërritur, autorët të cilët ishin maskuar si efektivë policie janë afruar pranë firmës së inerteve me një automjet tip “Range Rover” me ngjyrë të zezë.

Në portën hyrëse të kompanisë tre prej tyre kanë zbritur nga makina dhe janë afruar në këmbë drejt godinës së administratës ku ishte dhe pronari Ardian Gjeloshi.

Pasi kanë qëlluar me breshëri plumbash, autorët janë larguar sërish me një automjetin tip “Range Rover”.

Hakmarrja dhe konfliktet në të shkuarën janë pistat ku po heton policia dhe prokuroria e Lezhës për ngjarjen e rëndë. Biznesmeni nuk është marrë ende në pyetje nga policia, e cila deri tani ka shoqëruar mbi 10 persona, por asnjë prej tyre nuk ka ndihmuar hetuesit në identifikimin e autorëve.

Tv Klan