Banoret e Postribës i janë rikthyer protestës kundër guroreve, që sipas tyre kanë ndotur ujin e pijshëm. Ata takuan kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, teksa kërkuan që guroret të mbyllin aktivitetin ose në të kundërt do ta zgjidhin sipas Kanunit me vetëgjyqësi.

“Ne duam të hiqen guroret. Me tonelata dhera hidhen mbi burimin e ujit. Të bllokohet puna në gurore, e pastaj të riparohet ujësjellësi. Mos na detyroheni ti kthehemi kanunit se ka me u bë nami. Ne duam të jetojmë në tokën tonë, shteti të na ndihmojë se guroret na kanë shkatërruar jeten. Kanë dëmtuar uji, shiheni sa i ndotur është (tregojnë shishet), kanë dëmtuar kullotat e bagëtive”, thanë ata.

Kryebashkiaku Beci tha se ka një projekt për ujësjellësin e ri në fshatin Domen të Postribes dhe ky investim do të zgjidh problemin e ujit, ndërsa do të interesohet edhe për dokumentacionin e guroreve.

“Ne kemi gati një projekt për të përmirësuar cilësinë e ujit, por nëse është kështu si thoni ju që ndikojnë guroret, unë jam i gatshëm të verifikojmë, të flasim me qeverinë dhe institucionet qendrore sepse nuk e kemi dhënë ne lejen. Ne do mbështesim banorët në kërkesat e tyre”, tha Beci.

Prej 7 vitesh banorët e Postribës kanë protestuar vazhdimisht dhe kanë bërë padi në prokurori, por problemi I tyre nuk është zgjidhur.