Teatri “Migjeni” në Shkodër, institucioni elitë i artit dhe i kulturës shqiptare, vijon të jetë në fokus. Këtë herë, jo për hamendësimet për shkrirje të tij apo jo. Një grup profesionistësh, bashkë me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, kanë parë nga afër problematikat e trashëguara në vite në këtë institucion.
Fillimisht, është inspektuar sistemi i ngrohjes së Teatrit “Migjeni”, funksionimi i të cilit, në jo pak raste, ka qenë shqetësim i spektatorëve, por edhe teme e kronikave televizive. Sipas kryebashkiakut Beci, është e papranueshme që një institucion i të tilla niveleve, të mos sigurojë kushte optimale për trupën e aktorëve, por edhe për spektatorin shkodran.
Janë parë nga afër edhe mjedise të tjera ku është e nevojshme të ndërhyhet për përmirësimin e kushteve aktuale. Për këtë qëllim, është diskutuar nga afër me punonjësit e mirëmbajtjes që institucioni të ngrihet në lartësinë e emrit dhe titullit të lartë “Nderi i Kombit” që Teatri “Migjeni” mban.
Kryetari i Bashkisë Beci, pa dashur të japë shumë detaje, ka thënë se së shpejti presim të kemi lajme të tjera të mira. Përveç mbështetjes që po jep aktualisht Bashkia, pritet mbështetje edhe nga donatorë e institucione shtetërore.
Në ambjentet e jashtme, por edhe të brendshme, në disa raste është ndërhyrë në Teatrin “Migjeni”, por asnjëherë në mënyrë të plotë për të zgjidhur njëherë e mirë problematikat.