Pas Spitali Memorial i Fierit, sot edhe 5 qendra të tjera spitalore do të marrin ën dorëzim kartën e autonomisë menaxheriale, duke u kthyer në pole të shëndetësisë. QSUT, spitalet rajonale të Shkodrës, Durrësit, Lezhës dhe Vlorës kanë arritur standardet dhe planet e zhvillimit për të pasur autonomi spitalore për ofrimin e një shërbimi më cilësor për qytetarët dhe mjekët të vlerësohen sipas meritokracisë së tyre.

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu tha se autonomia spitalore do të krijojë standarde më të mira dhe paga më të larta për mjekët që lidhet me performancën e tyre.

“Autonomia spitalore do të sjellë më shumë cilësi dhe vetëadministrim. Pas një procesi të gjatë 5 qendra spitalore janë gati për të marrë kartën e autonomisë menaxheriale. Për të arritur deri këtu QSUT, spitalet rajonale të Shkodrës, Durrësit, Lezhës dhe Vlorës kanë detajuar plane pune dhe projekte zhvillimi dhe me dorëzimin e kartës menazheriale do të vijojnë njëra pas tjetrës të bëhen pjesë e një vizioni me standarde më të larta, paga më të mira për mjekët dhe progres për modernizim të sektorit. Synojmë që në 2027 të kemi 17 qendra spitalore që do të vetëmenaxhohen në të gjithë vendin.

Autonomia është një mekanizëm që sapo ka filluar dhe do të krijojmë mundësinë që të ketë paga më të larta për mjekët që lidhen me performancën e tyre. Ky proces do të thellojë meritokracinë dhe hapësira më të madhe për mjekët. Përfitimet shtesë që gjeneron autonomia spitalore ecën paralele me rritjen e pagave që do të vijojë me një rritje të mëtejshme për mjekët dhe infermierët që bën qeveria. Autonomia do të rrisë më shumë hapësirën vendimmarrëse për mjekët dhe administratorët e spitale. Stafeta e menaxhimit kalon në duart e asaj trupe se di më mirë se kushdo se si përmirësohet cilësia dhe shërbimi për qytetarët”, tha Koçiu.

Ministrja shtoi gjithashtu se është ngritur një strukturë e posaçme për monitorimin e procesit në spitalet që tashmë do të kenë autonominë dhe vetëmenaxhimin.

“Kjo nuk do të thotë se roli i Ministrisë do të zvogëlohet, përkundrazi. Kemi krijuar një strukturë të dedikuar që do monitorojë procesin për të garantuar cilësinë maksimale. Në spitalet autonome propozimet i presim nga vetë stafet dhe mjekët dhe duam të shohim rastet ku propozimet vijnë nga poshtë lartë dhe shumë më pak nga lartë poshtë. Struktura spitalore nuk do ofrojnë vetëm shërbim cilësor, por do jenë operatorë ekonomik që ndërveprojnë me njëri-tjetrin”, tha Koçiu.

Me rritjen e autonomisë spitalore, spitalet do të jenë në gjendje që jo vetëm të rrisin shërbimet dhe standardet por edhe të bashkëpunojnë vetë me kompanitë e sigurimeve apo edhe me spitalet jashtë vendit për studime shkencore dhe jo vetëm.

/rtsh.al/