Studentët kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të kthyer ligjin për bllokimin e diplomave. Me anë të një deklaratë për mediat, ata kanë deklaruar se janë dakord me vendimin e Kushtetueses dhe se ata këtë gjë kanë kërkuar, që të dëgjohen. Po ashtu kanë theksuar se kjo betejë nuk ka përfunduar ende dhe se ata janë gati të mbushin sheshet nëse e drejta e tyre cënohet.
“Ne jemi dakord me vendimin. GJK i kërkoi qeverisë atë që ne i kemi kërkuar prej kohësh, që të na dëgjojnë dhe të konsultohemi. Por në këtë moment do ishte e drejtë të dëgjoheshin të gjitha palët e interesit. Ka qenë situatë e vështirë, por beteja nuk përfundon akoma. Po presim vendimin e arsyetuar. Të shohim se çfarë paraqet vendimi përfunduar që më pas të dimë edhe ne sesi të veprojmë. Këmbëngulja dhe guximi jonë nuk do përfundojë, jemi gati të mbushim sheshet nëse e drejta jonë cënohet”, deklaroi njëra prej studentëve.
Qeveria shqiptare prezantoi në muajin korrik projektligjin që ka si synim frenimin e largimit të bluzave të bardha, i cili parashikon që studentët të cilët nisin këtë vit Universitetin për Mjekësi, do të duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri, e më pas ta pajisen me diplomë. Sipas qeverisë, ky projektligj është hartuar me synimin që t’i sigurojnë shqiptarëve mjekë për vitet e ardhshme dhe për të përballuar sfidën e kohës, largimin e të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Europian.