Një 66-vjeçar me inicialet R.S., është arrestuar në Tiranë pasi kishte ushtruar dhunë mbi bashkëshorten e tij. Policia njofton se 66-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, pas aktit të dhunës ndaj bashkëshorte, e ka mbyllur këtë të fundit në banesë bashkë me nipërit dhe mbesat duke i kërcënuar se do t’i vriste me sëpatë. Mjeti prerës, sëpatë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale teksa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë
Brenda 12 orëve të fundit, parandalohet një tjetër ngjarje kriminale në familje, falë ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve profesionale të strukturave të DVP Tiranë. Kapet dhe vihet në pranga një shtetas, pasi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe mbrëmjen e djeshme, e kishte mbyllur atë në banesë, së bashku me familjarët, duke i kanosur se do t’i vriste, me mjet prerës (sëpatë). Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit për një shtetas që kishte mbyllur në banesë, familjarët e tij (bashkëshorten me nipërit dhe mbesat), në rrugën “Pavarësia”, menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi R. S., 66 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi R. S., mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:30, në rrugën “Pavarësia”, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, e ka mbyllur atë në banesë, së bashku me nipërit dhe mbesat, dhe i ka kanosur ata me mjet prerës sëpatë, që të mos lajmëronin Policinë. Mjeti prerës (sëpatë) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.