Personat që kanë një telefon “Iphone” po bëhen shënjestër e sulmeve kibernetike në vendin tonë, me qëllim vjedhjen e të dhënave.
Sipas policisë, kryesisht personave që zotërojnë një celular, tablet apo laptop të llojit “Apple” u dërgohen me iMessage, mesazhe nga adresa ndryshme iCloud.
Personave marrës të këtyre mesazheve iu premtohen të ardhura të konsiderueshme në valuta të huaja, duke pasur si kriter të vetëm përdorimin e aparatit të tyre celular, autorët i ftojnë të komunikojnë nëpërmjet aplikacionit “Telegram”.
Dyshohet se nëpërmjet joshjes financiare, autorët mund të marrin të dhënat personale të shtetasve shqiptarë. Ndaj policia u bën thirrje personave që u ka ardhur një mesazh i tillë dhe kanë shpërndarë të dhënat personale, të paraqiten në zyrat policore të Krimeve Kompjuterike dhe Kibernetike në Drejtoritë Vendore të Policisë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kompjuterike e Kibernetike në DPPSH.