Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni ishte në terren në zonat problematike si ato të Iballës dhe Fushë-Arrëzit, ku ditën e djeshme u shpall gjendja e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Angoni tha se situata sot paraqitet më e qetë dhe se pavarësisht se Iballa, Fierza dhe disa fshatra të tjera janë ende të bllokuara, familjeve u janë dërguar pako ushqimore dhe ndihma të tjera. Ndërkohë theksoi se po punohet për normalizimin e plotë të situatës.
“Jemi në Fushë Arrëz si rezultat i situatës së djeshme. Në këto momente që flasim ishim në inspektim në zonën e Iballës. Kanë ardhur 2 fadroma nga Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile dhe do rrinë në dispozicion deri në normalizim. Deri tani rrugët nacionale janë zhbllokuar. E rëndësishme në këto kushte është kriposja e rrugëve. Themi se situata është e menaxhueshme. Zona e Iballës, e Fierzës dhe disa fshatra në këto komuna janë të bllokuara. Po bëhet plani nga bashkia. Janë evidentuar familjet e bllokuara, të cilave u kanë shkuar pakot ushqimore”- tha Angoni.
Ndërsa sa i takon gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur në Fushë-Arrëz, Angoni tha se nuk ishim në një situatë të tillë por pati një nxitim të autoriteteve duke u bazuar nga situata me reshjet e dëborës gjatë ditës së djeshme.