Presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë një deklaratë të fortë, teksa tha se rajoni i Ballkanit rrezikon të kthehet në një front të ri lufte.

Duke folur pas një konference me kryetarë të shteteve amerikane, Biden tha se nëse nuk ndërhyhet për të ndaluar luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, konflikti mund të përhapet në vendet e Ballkanit.

“Nëse ne ndalemi, dhe Rusia vazhdon të luftojë dhe mposhtet Ukrainën, çfarë mendoni se do të ndodhë me vendet e Ballkanit? Çfarë do të ndodhë me Poloninë deri te Hungaria? Seriozisht, mendoni për këtë. E ndryshon dinamikën”, ka thënë Biden.

Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ndihmuar më së shumti Ukrainën prej nisjes së luftës, aktualisht përballen me bllokadë të disa republikanëve konservatorë, të cilët kanë dalë kundër ndarjes së mëtejshme të ndihmës për këtë shtet. Në pakon e Bidenit për ndihmë parashihen 50 miliardë dollarë për Ukrainën dhe 14 miliardë për Izraelin.

Edhe Bashkimi Evropian nuk ka arritur të ndajë fonde në vlerë të 50 miliardë dollarëve për Ukrainën, për shkak të vetos që e ka përdorur Hungaria.

Muajin e kaluar, shefja e Zyrës së SHBA-së për Buxhet, Shalanda Young, ka thënë në një letër dërguar udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson që, nëse ndihma ushtarake përfundon, atëherë Kievi do të gjunjëzohet ndaj pushtimit rus.

Në total, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 111 miliardë dollarë për Ukrainën, prej nisjes së luftës, përfshirë 67 miliardë dollarë për blerje të pajisjeve ushtarake.