Pas dakordësisë së arritur mes qeverisë së Tiranës dhe asaj Prishtinës për kalimin e hekurudhës që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën përmes Shkodrës, kanë nisur edhe përgatitjet konkrete.
Për këtë qëllim, një delegacion i qeverisë së Kosovës, i kryesuar nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ku u vlerësua rëndësia që ka ky projekt për të dyja vendet.
E pranishme në këtë takim ka qenë edhe Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, e cila gjatë diskutimeve e ka cilësuar këtë nyje të re lidhësese mes dy vendeve që kalon në Shkodër një prioritet të qeverisë shqiptare.
Pas takimit në zyrën e kryebashkiakut Beci, të gjithë së bashku inspetuan nga afër stacionin hekurudhor të Mjedës, që do kthehet në një pikë lidhesë e rëndësishme e linjës hekurudhore Shqipëri – Kosovë. Hekurudha Shqipëri – Kosovë përllogaritet të ketë një kosto prej 700 milionë Euro.