Agjencia e Mbikqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet lidhur me një grup kriminal i cili merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në Tiranë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në kuadër të këtij operacioni ka rënë në pranga një shtetas, me origjinë nga Siria, por që ka dhe shtetësi shqiptare. Dyshohet se ky shtetas është ndihmuar nga efektivë të Policisë për të shpërndarë lëndën narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas të njëjtave burime bëhet me dije se nga hetimet ka rezultuar se në këtë skemë është i përfshirë një efektiv Policie, i cili aktualisht shërben në sektorin e antidrogës në Shkodër. Më herët, ky efektiv, identiteti i të cilit nuk është bërë me dije për shkak të hetimeve, ka shërbyer në të nëjtin sektor në Tiranë.
Thuhet se ai i ka dhënë automjetin e tij privat shtetasit sirian, dhe dyshimet janë se është përdorur për të transportuar lëndën narkotike me qëllim shmangien e kontrolleve policore. Lidhur me këtë operacion deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, priten më tepër detaje në vijim.