Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore Parlamentare, duke refuzuar thirrjen e opozitës për ta kthyer mbrapsht në parlament. Në një reagim në platformën X, Rama shkruan se ka mbaruar koha politike kur Presidenti i Republikës “bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov”.
“Koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë”, shkruan Rama.
Në reagimin që vjen pas akuzave të njëpasnjëshme nga ana e deputetëve të opozitës ndaj Presidentit Begaj, Rama ka theksuar se do përfundojë shumë shpejt edhe kjo situatë e pazakontë parlamentare, duke iu referuar dhe kaosit të Rithemelimit. Kreu i qeverisë nënvizon se ky vit do jetë ai i ndryshimeve të mëdha pozitive, pas një sërë arritjesh në 2023-in.
“Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur”, shkruan Rama.
Pavarësisht thirrjes së të dyja palëve të opozitës për të kthyer ligjin për “Komisionet Hetimore”, si rrugë që do të ndihmonte futjen në shinat e dialogut politik, opozitën dhe maxhorancën, Presidenti Begaj dekretoi ligjin e ri të komisioneve hetimore duke argumentuar se opozita nuk bëri asnjë përpjekje për arritjen e këtij konsensusi, çka dëshmon se qëllimi ishte thjesht bllokimi i ligjit.