Rezultatet e arritura në sektorin e turizmit gjatë vitit 2023 e kanë inkurajuar ministrinë përgjegjëse për turizmin të kërkojë para nga buxheti i shtetit për të promovuar Shqipërinë si një destinacion mikpritës për turistët vendas dhe të huaj.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, shpalli një ditë më parë thirrjen për përfitimin e mbështetjes financiare të projekteve në fushën e turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, privatë ose publikë, të cilët kanë në objekt të veprimtarisë së tyre turizmin, në funksion të realizimit të misionit strategjik.
Nën titullin “Shqipëria, një destinacion mikpritës, tërheqës dhe autentik, për zhvillim të qëndrueshëm të potencialeve ekonomike, natyrore dhe sociale të vendit”, thirrja synon promovimin e destinacioneve, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike për zhvillimin e turizmit malor, natyror, kulturor, tradicional, kulinar, ekoturizmit, turizmit nostalgjik, turizmit të aventurës etj., gjithashtu edhe në mbështetje të veprimtarive të sezonit turistik për vitin 2024.
Thirrja do të qëndrojë e hapur nga data 15 janar deri më datën 13 shkurt të vitit 2024. Projektet duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, nga data e nënshkrimit të kontratës deri më 15 nëntor 2024.
Mbështetja financiare e projekteve në turizëm synon zhvillimin dhe promovimin e destinacioneve, produkteve të diversifikuara të ofertës turistike në turizëm.