Dy makina janë përplasur kokë më kokë mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë. Si pasojë drejtuesi i njërës prej makinave ka mbetur i vdekur, ndërsa dy pasagjerët në automjet janë lënduar rëndë.

Policia dhe zjarrfikëset janë në vendngjarje dhe po punojnë për nxjerrjen e viktimës dhe të lënduarve nga automjeti.

Dyshohet se shkak ka qenë një parakalim i gabuar i bërë prej automjetit të viktimës, e cila solli më pas përplasjen kokë më kokë me një automjet tjetër.

Megjithatë ekspertët janë në vendngjarje dhe po punojnë për zbulimin e shkakut të plotë dhe rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 15.01.2024, rreth orës 07:20, te kthesa e Rinasit në drejtim të Fushë-Krujës, janë përplasur automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. B., 53 vjeç, automjeti kamion “Volvo”, me drejtues shtetasin A. R., 45 vjeç, dhe automjeti tip “Skoda”, me drejtues shtetasin G. R., 32 vjeç.

Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë shtetasi G. R., dhe janë dëmtuar 3 pasagjerët që ndodheshin me të, të cilët janë transportuar për në spital.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.