Makinat luksoze që u janë sekuestruar pjesëtarëve të grupeve kriminale në vend po përdoren nga Policia e Shtetit.
Mjetet mes tyre edhe makina super luksoze që e kalojnë vlerën 100 mijë euro, janë ekspozuar pranë Ministrisë së Brendshme dhe tashmë janë gati. Mjetet e sekuestruara tani janë në pronësi të Policisë së Shtetit dhe kanë edhe logon e institucionit, gati për të dalë në shërbim nëpër rrugët e kryeqytetit.
Mes makinave luksoze është edhe makina tip “Mercedes-Benz, V8 biturbo”, e modeles dhe Miss-it Trejsi Sejdini, e cila mendohet se kap vlerën mbi 100 mijë euro. Makina u sekuestrua në shtator të vitit 2019, ku sipas verifikimeve nuk ishte i regjistruar në emër të saj.
Ish-Miss “Univers Albania 2018” deklaroi se këtë automjet e kishte marrë dhuratë për ditëlindje, ndërsa shpesh postonte foto në rrjetet sociale.
Ky vendim erdhi pas ligjit të ri, sipas të cilit makinat luksoze që i janë sekuestruar anëtarëve të organizatave kriminale do të kalojnë në pronësi të Policisë së Shtetit dhe do të përdoren prej tyre. Makina e Trejsit i është nënshtruar të gjitha procedurave të shitjes, por që askush nuk ka dalë i gatshëm për ta blerë.