Xhamia e Plumbit, një nga objektet më të veçanta arkitekturore për Shkodrën do të jetë gati dhe e aksesueshme për turistët në vjeshtën e këtij viti. Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ka inspektuar punimet që po kryhen nga firma kontraktuese. Në punimet që po kryhen në këtë objekt kulti janë përdorur edhe ndërhyrje inxhinjerike në hapjen dhe vendosjen e tubacioneve me 43 metra thellësi për të mbrotur këtë objekt.
Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci u shpreh se ky objekt kulti përfaqëson një vlerë të rëndësishme për vizitorët që I drejtohen Shkodrës, e cila është që tani në hartën e vizitorëve por me ndërhyrjen që po bëhet do të ketë një pamje krejt tjetër.
Xhamia e Plumbit është cilësuar si një ndër 50 monumentet më të bukura të botës. Por përmbytjet e njëpasnjëshme e dëmtuan këtë objekt kulti, duke bërë të domosdoshme ndërhyrjen për rikonstruksion. Xhamia është shpallur monument kulture në vitin 1948, ndërsa prej shumë kohësh në të nuk është bërë asnjë investim. Me projektin e ri, synohet që t’i jepet fund problematikës së përmbytjes. Po ashtu po kryhen punime në fasadën e brendshme të jashtme, ndërsa do të ngrihet dhe minarja që u dëmtua në vitin 1967.