Chelsea po fiton 3-0 me Preston për 1/32 e FA Cup në Angli. Sfida për Blutë e Londrës u zhbllokua nga Armando Broja në të 58 minutë. Pas një krosimi të Gusto nga e majta e sulmit, Broja me kokë nga brenda zone nuk gaboi dhe bëri që gjithë stadiumi të çohej në këmbë dhe të duartrokiste. Festë me ‘shqiponjë’ nga 22-vjeçari, që vetëm dy minuta më vonë goditi edhe tranversën. Tanimë Broja gjen golin e dytë këtë sezon.
Pas këtij rasti, Chelsea u zgjua dhe gjeti dy gola të tjerë me Thiago Silvën dhe Sterling në minutat 66-të dhe 69-të. Duket se hedhja në fushë nga minuta e parë e Brojës ka qenë vendimi i duhur nga Pochettino, me shqiptarin që zhbllokoi një sfidë që po bëhej shqetësuese.
Në 14 ndeshjet që kishte luajtur këtë sezon, Armando Broja kishte shënuar vetëm një gol, kundër Fulham në datën 2 tetor 2023, si dhe kishte asistuar në një tjetër rast kundër City-t.
I shumëpëfolur për një largim në merkaton e janarit, duket se te Chelsea janë të bindur për të mbajtur sulmuesin e Kombëtares që me minuta në fushë po shpërblen besimin e drejtuesve.