Ngjarja e rëndë e ndodhur në Durrës, ku 41-vjeçarja Bedrie Loka i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë pasi dyshohet se kishte rënë në depresion për shkak të bullizimit në TikTok, ka tronditur mbarë opinionin publik në vendin tonë.
Një mesazh lidhur me ngjarjen ka dhënë edhe gazetari Blendi Fevziu, i cili e ka cilësuar më shumë një vrasje se sa një vetëvrasje. Përmes një videoje të publikuar në “Instagram”, Fevziu ka bërë thirrje që të ndalet bullizimi, sharjet, fyerjet apo komentet denigruese në rrjetet sociale.
MESAZHI I PLOTË I BLENDI FEVZIUT:
Një 41-vjeçare i ka dhënë fund jetës në mënyrë më tragjike të mundshme, 4 fëmijë kanë mbetur jetimë, një bashkëshort ka mbetur i ve, për hir të një ngjarje e cila mund të ishte parandaluar. Natyrisht që përgjegjësinë kryesore e mbajnë autoritetet shtetërore, të cilat nuk kanë reaguar ndaj një denoncimi nga më shumë se 1 viti e gjysëm.
Por përtej përgjegjësisë së autoriteteve shtetërore, vetëvrasja e 41-vjeçares është më shumë një vrasje sepse vjen si pasojë e një fenomeni, i cili po bëhet dominues në shoqërinë shqiptare dhe nga i cili shoqëria shqiptare nuk po shpëton dot. 41-vjeçarja ishte objekt i bullizimit, fyerjes, talljes, shpifjeve në rrjetet sociale.
Kjo ngjarje tregoi se rrjetet sociale, sa janë një mjet argëtimi, sa janë një mjet komunikimi, sa janë një mjet i përditshëm i angazhimit të përditshëm, janë edhe një armë që mund t’i marrë jetën tjetrit. Ka njerëz, të cilët i vret fjala e dikujt tjetër më shumë se një tjetër që është i aftë ta përballojë sharjen apo fyerjen.
Natyrisht që 41-vjeçarja do të ishte sot gjallë sikur të mos ishte presioni dhe mesjeta kulturore e shoqërisë shqiptare, sikur të mos ishte ekuizicioni mesjetar në të cilin jeton një pjesë e shoqërisë shqiptare, sikur të mos ishte kultura e talljes, denigrimit, fyerjes, fenomene të cilat e bëjnë shoqërinë shqiptare tejet primitive, që e bëjnë shoqërinë shqiptare të papranueshme.
Nuk është rastësi që një vend, i cili është vendi më i bukur i botës si Shqipëria, që ndodhet në qendrën e civilizimit botëror, në zonën ndoshta më të mirë të globit, vijon të jetë një vend i prapambetur dhe i varfër. Është i prapambetur dhe i varfër edhe falë kësaj mendësie, edhe falë këtij mentaliteti nga i cili nuk po shpëtojmë dot.
Po ju bëj edhe njëherë thirrje, jo vetëm të jeni të kujdesshëm me rrjetet sociale, jo vetëm të jeni të pandjeshëm ndaj fyerjeve dhe sharjeve të të tjerëve, por mbi të gjitha, të shihni të afërmit tuaj, ata që jetojnë në Perëndim, që nga mëngjesi në darkë mundohen të punojnë për të siguruar mirëqenien e tyre, mundohuni të kuptoni se mirëqenia juaj vlen më shumë së sa kënaqësia që merrni nga tallja, fyerja, përqeshja, thashethemet apo fjalët që shpenzoni për të tjerët.
Kuptojeni që ky stil jetese nuk mund të shkojë më në shoqërinë e sotme moderne. Kuptojeni që falë kësaj sjellje primitive, falë kësaj sjellje mesjetare, falë kësaj sjellje të papranueshme, ne jemi sot në atë vend që nuk duhet të ishim kurrë. Bota dhe shoqëria moderne nuk mund ta pranojë kurrë një sjellje të tillë, ndaj vrasësit e 41-vjeçares jemi të gjithë ne, është shoqëria shqiptare, e cila vijon të marrë jetë falë sjelljes së saj të papranueshme primitive dhe jashtë kohe.