Është zbardhur dëshmia e bashkëshortit të 41-vjeçares, e cila vrau veten duke pirë fostoksinë, pasi prej një vitit bullizohej në rrjetin social “tik tok” nga persona ende të paidentifikuar.

Shtetasi Xh. Loka, i cili ishte emigrant dhe kishte ardhur në Shqipëri më datë 27 dhjetori është shprehur se gruaja e tij ka pasur stres dhe ankth kohët e fundit dhe ishte mjaft e shqetësuar për profilin që i kishin hapur, ku e fyenin dhe ofendonin.

Ai shprehet se bashkëshortja e tij një vit më parë kishte bërë kallëzim në polici, por nuk ishte marrë asnjë masë. Ndër të tjera, ai thekson se nuk pasur shqetësime një ditë para ngjarjes, ku kanë festuar Vitin e Ri normalisht, por ajo kohë më parë i kishte se nuk po e përballonte dot faktin që i kishin publikuar një foto.

“27 dhjetor kam mbërritur në Shqipëri. Gruaja ka pasur stres dhe ankth kohët e fundit, mund të ketë kryer këtë veprim si pasojë, pasi rreth një vit më parë persona të paidentifikuar i kanë hapur një adresë në Tik Tok në emrin e saj, dhe për këtë ka bërë kallëzim penal… natën para ngjarjes, gruaja ka qenë në rregull dhe nuk ka pasur shqetësime dhe kemi festuar natën e Vitit të Ri.

Por prej kohësh ajo kishte shfaqur ide se nuk përballonte dot foton që i kishin publikuar në Tik Tok. Kur u ngrita në mëngjes e pashë të shtrirë te dhoma e ndjenjës, në mes të shtëpisë. E çova në spitalin e Durrësit dhe aty më thanë se ka pirë fostoksinë dhe e nisën në Tiranë”, ka deklaruar.