35 vrasje janë regjistruar në Shqipëri gjatë vitit 2023. Në analizën vjetore të Ministrisë së Brendshme, titullari Taulant Balla theksoi se kjo shifër tregon për një ulje të numrit të vrasjeve në krahasim me vitet e mëparshme.
Por një tregues i keq është fakti që nga 35 vrasje, 11 prej të cilave janë krim në familje.
“Kemi patur një rënie të numrit të vrasjeve kriminale gjatë këtij viti, 35 deri më tani në 2023 krahasuar me 107 në vitin 2013 dhe me 124 në vitin 2012. 28 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar. Pothuajse 1/3 e ketyre ngjarjeve kriminale, 11 janë krim në familje. Duke e bërë vitin 2023 si një vit historik për rendin dhe sigurinë”.
E në këtë aspekt, ministri i Brendshëm kërkoi të bëhet më shumë punë nga drejtoritë dhe komisariatet e policisë për krimet e policisë dhe dhunën me bazë gjinore.
“I kam kërkuar drejtorive vendore të policisë dorë të hekurt kundër dhunës më bazë gjinore dhe mbrojtje e mbështetje për viktimat e dhunës. Janë evidentuar 4698 raste të dhunës në familje,
me 2030 autorë të identifikuar. 783 prej tyre janë ndaluar, ndërsa 1247 të tjerët janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 2730 kërkesëpadi për urdhra mbrojtjeje/urdhra mbrojtjeje të menjëhershme në favor të të dëmtuarve nga kjo vepër penale”, theksoi ministri i Brendshëm Taulant Balla.
/tvklan.al