Nuk ka pushim për Vllazninë. Një gjë të tillë e paralajmëroi pas miqësores me Besëlidhjen edhe trajneri Qatip Osmani, dhe ashtu në të vertetë ndodhi, kur futbollistët kuqeblu u paraqitën pasditen e së martës në stadiumin “Loro Boriçi” duke zhvilluar të parën seancë për vitin 2024.
Të pranishëm kanë qënë të gjithë futbollistët që mbyllën vitin 2023, me përjashtim të atyre, me të cilët klubi kuqeblu ka zgjidhur kontratat me mirëkuptim. I pranishëm në këtë seancë ka qënë edhe mbrojtësi i majtë, Xhelil Asani, futbollist ky që në fakt është përfolur për një largim të mundshëm, por, të paktën, për momentin, duket se një mirëkuptim i tillë nuk është arritur akoma, ose në rast të kundërt, mundet që drejtuesit të kenë ndërruar mendje. Gjithsesi, nga sa bëhet e ditur, pista Asani, është në shqyrtim e sipër. Po, nga ana tjetër, interesimi më i madh ka qënë për merkaton në hyrje.
Gjatë ditëve të fundit të vitit 2023, ka pasur shumë komente mediatike lidhur me veshjen kuqeblu të disa futbollistëve cilësore, duke nisur nga Memolla, Hila dhe deri tek Shkodran Mustafi, i cili është shpallur kampione bote me Gjermaninë. Por, të paktën, në këtë seancë të parë të zhvilluartë martën në stadiumin “Loro Boriçi”, por edhe në momentin e skuadrës drejt Ulqinit për minifazën përgatitore, asnjëri prej tyre nuk është parë të jetë prezent.
Për t’u thekuar është se në seancën e parë të vitit, por edhe në momentin e nisjes së skuadrës drejt Ulqinit, me skuadrën kuqeblu janë bashkuar edhe një kontigjent futbollistësh të rinjë, siç janë: portjeri Aron Jukaj, mbrojtësit Amir Brahimi dhe Egert Selmani, mesfushori Ersi Zaganjori, si dhe sulmuesit, Kevin Dodaj dhe Klajti Halili. Një veprim i till tregon qartë se drejtuesit kuqeblu po mendojnë seriozisht për promovimin e elementit të riu, gjë që në fakt është kërkuar prej kohësh, por ky sezon po e verteton më së miri një gjë të tillë.