Shqipëria është gati për të përjetuar një bum tjetër turistik edhe gjatë këtij viti. Në nisje të 2024, një ftesë zyrtare turistëve shqiptarë e të huaj ua ka drejtuar edhe Kryeministri Edi Rama, duke u treguar nëpërmjet një video promovuese pikat më turistike në vendin tonë.
“Shqipëria turistike është gati për t’u zbuluar gjatë gjithë 2024-ës me të gjitha bukuritë e saj: nga malet e thepisura që shohin ujërat e bruzta të deteve, qytetet e lashta, e më në thellësi akoma, traditat sa të vjetra aq të gjalla që janë shpirti i vërtetë i saj dhe përvojat e bukura të gjithë udhëtarëve që një vendi dinë t’i rrokin shpirtin”, shkruan kryeministri në rrjetin social Facebook.
10,011,500 turistë të huaj kanë hyrë në vendin tonë deri mbrëmjen e 25 Dhjetorit. Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.
Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.
Po ashtu, vendi ynë ka kushte për turizëm gjithëvjetor për shkak të relievit që ofron mundësi për turizëm nga jugu në veri. Fshatrat turistikë të veriut të vendit njohin së fundmi numër të lartë turistësh, ndërsa po zhvillohet edhe infrastruktura për turizmin e aventurës.
Tv Klan