Kreu i SPAK Altin Dumani është shprehur se nuk e “shqetëson retorika politike në raport me hetimet”. Teksa ishte i pranishëm në “Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverive”, ai thekson se çështjet me natyrë korruptive kërkojnë kohë dhe hetimet zgjasin shumë, megjithëse nuk ka përmendur një rast specifik.
“Retorika politike apo presioni mediatik tek unë si drejtues nuk ka asnjë lloj ndikimi. Jam imun nga retorika politike e përditshme dhe ragimet mediatike. Këtë përpiqem të përcjell tek trupa e prokurorëve të SPAK. Nuk kanë asnjë lloj ndikimi në punën time si drejtues, por as të prokurorëve dhe hetuesve. Nuk më shqetëson retorika politike në raport me hetimin. Kemi garancitë kushtetuese të ushtrojmë ndjekjen penale. Nuk na ka munguar as mbështetja buxhetore. Çështjet me natyrë korruptive, apo të tenderave janë të vështira për t’u hetuar. Kërkojnë kohë, kërkojnë njerëz, kërkojnë teknika speciale të hetimit. Kur nis një hetim ku kombinohet hetimi, historitë, por edhe hetimi proaktiv, ai zgjat shumë. Nuk e them për shfajësim, por duhet ta marrim parasysh. Nuk mund të krahasohet një çështje që ne hetojme me një çështje të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm. Nuk duhet t’i mëshojmë shumë çështjes sasiore. Sa i takon transparencës, ne jemi përpjekur të jemi transparentë me publikun, duke publikuar në faqen tonë raportet vjetore, rregulloret, njoftimet për shtyp. Ka edhe raste të rralla, kur bëjmë reagime publike për çështje të cilat tërheqim vëmendjen e opinionit publik”, ka deklaruar Dumani.