Një 40-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri mëngjesin e kësaj të hëne në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:00, në zonën e njohur si “Dollari”, për shkaqe dhe në rrethana momentalisht të paqarta. I plagosur nga kjo ngjarje mbeti Aleksandër Curaj. Ai u dërgua në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
“Rreth orës 09:00, në vendin e quajtur “Dollari”, është plagosur me armë zjarri shtetasi A. C., 40 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe po merr ndimën mjekësore. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën, për kapjen e autorit. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Ndërkohë, janë ngritur pika të shumta kontrolli. Forcat e Sigurisë Kombëtare po vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e autorit, i cili dyshohet se është larguar në brendësi të lagjeve të qytetit”, tha policia në një informacion paraprak për mediat.
E pyetur nga gazetarët nëse kishte arritur ta shihte autorin, dëshmitarja e mohoi diçka të tillë. “Nuk e njoh, po e kanë parë të gjithë skenën”, tregoi ajo, ndërsa tha 40-vjeçari kishte marrë një plagë në bark.
Sipas gazetares Emi Kalaja, e cila sjell edhe këto pamje, autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje mësohet se lëvizte me biçikletë, ndërsa në vendin e ngjarjes policia gjeti 4 gëzhoja.
Aleksandër Curaj është një emër i panjohur për policinë lokale pasi nuk rezulton që ai të ketë precedentë penalë në të shkuarën./tvklan.al