Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i është përgjigjur publikisht kërkesës së kryetarëve të Bashkisë Fushë-Arrëz dhe Memaliaj, të cilët u vetëofruan që në qytetet e tyre të ngrihen kampet për refugjatë që do të vijnë nga Italia, pas firmosjes së marrëveshjes.

Balla tha se kërkesa e tyre është e pamundur që të bëhet realitet, ku gjithashtu ka treguar edhe arsyet pse ka qenë pikërisht Lezha që është përzgjedhur për pritjen e emigrantëve.

Ai tha se Lezha është përzgjedhur për shkak të pozocionit gjeografik, pasi momenti i parë është mbërritja e refugjatëve në port.

“Dua të sqaroj diçka tjetër që mendoj se është e rëndësishme, si ministër i Brendshëm kam marrë kërkesë nga 2 kryetarë bashkish, të cilët gjej rastin t’i falenderoj, kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz dhe kryetari i Bashkisë Memaliaj, të cilët janë vetëofruar që në bashkitë e tyre respektive të ngrihet një qendër e ngjashme pritje, siç do ju përgjigjemi zyrtarisht, por po e them dhe këtu: Është e pamundur që ne të ja realizojmë këtë kërkesë dy kryetarëve të bashkive sepse arsyeja pse është përzgjedhur Lezha, ka të bëjë me pozicionin gjeografik, momenti i parë është mbërritja në port. Ne në port do të kemi një strukturë tek e cila do të bëhet dhe identifikimi, pra çdo shtetas i huaj, përmes kësaj marrëveshje e cila do të mbërrijë në Shqipëri në qendrën e parë, atë të portit të Shëngjinit, ku do të bëhet dhe identifikimi, po ashtu është përzgjedhur dhe një distancë e shkurtër sepse bëhet fjalë për shpenzime të mëdha.”, tha Balla.