Ky vit ka njohur një rekord numri turistësh në Alpet e Qarkut të Shkodrës pjesë e Administratës së Zonave të Mbrojtura.Të mahnitur nga bukuritë e natyrës, fluksi i turistëve kryesisht të huaj këtë vit kap shifrat më të larta si asnjëherë më parë. Këtë e pohon kreu i ADZM Shkodër, Agim Dardha, sipas të cilit janë 370 mijë turistë të cilët kanë vizituar monumentet natyrore të zonave të mbrojtura.

Edhe turizmi i aventurës po merr një prirje të re dhe është duke u preferuar në guidat turistike. Duke qënë se këto aventura në disa raste kanë përfunduar me humbje jete, drejtori i ADZM Agim Dardha thotë se në Theth shërben edhe Zyra e Informacionit për cdo turist që shkel për herë të parë në këto zona.

Shkodra të ofron mundësinë që të vizitosh pafund monumente të veçanta natyrore, kulturore, historike dhe arkeologjike. Por disa ndër monumentet e natyrës më të vizitueshme mbeten Syri i Sheganit, Ujëvara bashkë me Shpellën e Thehit, Spella e Majës së Arapit, Kanioni i urës së Shtrenjtë Kanioni i Grunasit etj.