Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e para që mori fjalën në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, nuk i kurseu ironitë për opozitën.

Spiropali solli në vëmendje shprehjen e Ramës, por edhe socialistëve të tjerë se “Suksesi është kolektiv, përgjegjësitë individuale”.

“Ngut për t’u bërë Evropa në Ballkan, ngut dhe vullnet për ta parë Ballkanin si shtëpi evropiane. Shqipëria po vrapon për të kapërcyer pengesat dhe vonesat e saj historike. Për të bërë në sa më pak vite atë që vende të tjera e kanë bërë në dhjetëra e qindra vjet, shpesh duke kaluar nëpër rrugë të përgjakshme. Liria dhe shteti i së drejtës nuk janë akte që realizohen në një ditë natë, as në pak vjet, janë procese që kërkojnë durim, sakrificë dhe vendosmëri, ide hde vizion, përkushtim dhe tolerancë. Ne socialistët shqiptarë kemi dëshmuar se dimë të marrim përgjegjësi dhe të jemi përgjegjës për fatet e Shqipërisë. Ky është destini ynë të ciline ka gdhendur në mermer vullneti i përsëritur i qytetarit shqiptar 8 herë në 9 ballafaqime elektorale të njëpasnjëshme nën drejtimin e Edi Ramës. Shqipëria po jeton ditë të jashtëzakonshme. Ky Kongres i jashtëzakonshëm i PS-së, është pjesë e përpjekjeve tona për të qenë katalizator të ndryshimit dhe të vetëkorrigjimit. Kongresi është pjesë e përgjigjeve që japim ditë pas dite me shërbesën tonë. Shërbesën për një vend dhe në një vend që e dimë si ka qenë, e shohim si është dhe ëndërrojmë sesi do të jetë. Më i zhvilluar, më i respektuar, më i sigurt, më i begatë.