Promovimi zonave turistike dhe rritja e kapaciteteve akomoduese është një prej nismave që ka ndërmarrë bashkia e Vau Dejësit, me mbështetjen e Bashkimit Europian për ta kthyer këtë zonë në një destinacion me turizëm gjithëvjetor. Kështu shprehet Drejtorja e Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në këtë bashki, Entela Kolaj , sipas së cilës synimi për vitin që vjen është të rriten sa më shumë kapacitetet e akomodimit, sepse kërkesat këtë vit kanë qënë tepër të mëdha.
Në bashkëpunim me zyrën e shërbimit social, Bashkia e Vau Dejësit ka marrë përsipër që të bëjë trajnime për stafet që e kanë të lidhur punën e tyre direkt me turistët si kamarier, kuzhinier etj.
Vau i Dejës është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar për ata që adhurojnë natyrën dhe duan të eksplorojnë bukuritë e saj të pafundme. Ai po bëhet çdo ditë e më tërheqës, ku numri i turistëve, sikurse na informojnë edhe operatorët turistikë, është shtuar shumë vitet e fundit .