Kinematografia shqiptare ka humbur sot një prej aktorëve të saj më të shquar, të madhin Zef Deda që është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare.
Lajmi i trishtë është konfirmuar nga dy djemtë e tij, Julian dhe Mario Deda. Mësohet se aktori i mirënjohur ka ndërruar jetë në Shkodër, pasi luftonte prej kohësh me një sëmundje të rëndë.
Zef Deda, lindi në qytetin e Shkodrës më 27 korrik 1950, ku e nisi karrierën e tij në moshë të re pranë Teatrit Migjeni.
Me një karrierë të jashtëzakonshme që zgjati më shumë se 40 vjet, Deda bëri emër me performancat e tij të jashtëzakonshme në skenë dhe kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e humorit shqiptar.
Artisti u largua nga Shqipëria për një periudhë gjashtëvjeçare për shkak të emigrimit, por kthimi i tij në atdhe në vitin 1996 i gjeti fansat e komedisë duke e pritur me padurim.
Zef Deda ishte i martuar me Rozina Dedën, dhe bashkë kanë dy djem, Marion dhe Julianin, i cili është gjithashtu aktor i njohur i humorit në Shqipëri.
Ndërsa komuniteti artistik dhe dashamirësit e teatrit shprehin ngushëllimet e tyre, vepra dhe kujtimi i Zef Dedës do të mbeten të pavdekshme në zemrat dhe mendjet e shumë shqiptarëve që u rritën dhe u frymëzuan nga shpirti dhe fryma e tij e paharrueshme.
Karriera e Zef Dedës:
Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Është shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë.
Fillon shkollën e lartë për gjuhë – letërsi, por nuk e mbaron dot për arsye shëndetësore. Ka punuar për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës.
Talenti i tij spikat që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrin të realizojë qindra figura artistike. Prandaj dhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë Shkodran.
Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdon me shumë sukses.
Zef Deda gjithashtu ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj.
Disa nga rolet e Zef Dedës:
Kunati i shokut Xhemal,
Kola i dritave,
Charlie Chaplin (imitim) ,
Kusheriri nga Amerika,
Altini (altufi) Dhjetra emisjone per femije,
Ne filmin “gjurme ne kaltersi” 1981, etj.