Nga NEW YORK TIMES – Çfarë ndodh kur super të pasurit janë egoistë?

Nuk ka më njerëz të pasur të së shkuarës dhe ky është një problem për të gjithë. Sepse tradicionalisht ndër shekuj më të pasurit e dinin se pasuria e tyre ishte një privilegj që nuk e kishin të gjithë dhe që në kohët më të vështira ata ishin të gatshëm t’i kthenin diçka shoqërive në të cilat jetonin, për të balancuar të paktën pjesërish jetën social-ekonomike të komunitetit. Sot nuk është më kështu dhe rreziku është destabilizimi i shoqërisë bashkëkohore. Kjo është teza e një editoriali të New York Times të shkruar nga italiani Guido Alfani.

Alfani jep histori ekonomike në Universitetin Bocconi në Milano dhe ka bërë kërkime të gjera se si epidemitë e mëdha të historisë kanë ndryshuar shoqëritë që janë prekur prej tyre (përfshirë atë të Covid-it).

Artikulli i NYT është një fragment i përshtatur nga libri i tij i ardhshëm që do të publikohet në Shtetet e Bashkuara, “As Gods Among Men: A History of the Rich in the West”.

“Duke nisur nga shekulli i XVI-të, dhe duke filluar nga zonat më të zhvilluara ekonomikisht të Evropës, si Italia qendrore dhe veriore, të pasurve iu caktua një rol specifik shoqëror: të vepronin si një rezervë private parash nga e cila komuniteti mund të merrte në çastet kur kishte nevojë më të madhe”, shpjegon Alfani.

Ata u konsideruan si “hambarë privatë të parave” duke përdorur shprehjen e shpikur nga humanisti toskan Poggio Braçiolini në traktatin e tij të vitit 1428 “De avaritia” (Mbi koprracinë): ashtu si autoritetet grumbullonin rezerva publike ushqimi për t’i përdorur në momentet e zisë.

Komunitetet kishin nevojë për të pasurit për të përfituar nga pasuritë e tyre në momentet e vështirësive kolektive. Shembuj të këtij mekanizmi janë huat e detyruara të vendosura nga autoritetet e Venecias për qytetarët e saj më të pasur; pas murtajës së vitit 1630, gjatë luftës kundër Perandorisë Osmane në vitet 1645-69, apo edhe “Liberty Bonds” për financat, të lëshuara nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 1917-1918 për Luftën e Parë Botërore.
Tatimi progresiv është një formë tjetër e zbatimit të këtij parimi, sipas të cilit ata që kanë shumë ose shumë-shumë duhet që t’i ndihmojnë edhe më shumë të tjerët. Një parim, i cili megjithatë sipas Alfanit tashmë është në krizë.

Pavarësisht krizës së borxhit dhe pandemisë Covid, në fakt në Evropë dhe Amerikën e Veriut nuk ka pasur një rritje të ndjeshme të taksimit për asetet e mëdha dhe në Shtetet e Bashkuara synimet e Presidentit Joe Biden për ta bërë këtë kanë dështuar deri diku.

Në të vërtetë, gjatë pandemisë Covid pabarazitë janë rritur dhe Alfani hedh hipotezën se “rezistenca e jashtëzakonshme e të pasurve ndaj krizave të fundit është rritur në atë mënyrë sa e ka bërë shoqërinë në tërësi më pak elastike”, duke qenë se borxhi i lartë publik i akumuluar gjatë pandemisë në shumë vende do të rëndojë veçanërisht mbi më të varfrit.

“Të pasurit e sotëm, pasuria e të cilëve është ruajtur kryesisht nga Recesioni i Madh dhe pandemia Covid-19, kanë kundërshtuar reformat që synojnë shfrytëzimin e burimeve të tyre për të financuar politikat e zbutjes së krizës së borxhit. Ky është një zhvillim historik i jashtëzakonshëm. Ndihma për të paguar faturat për krizat e mëdha ka qenë prej kohësh funksioni kryesor shoqëror që i atribuohet të pasurve nga kultura perëndimore. Në të kaluarën, kur më të pasurit perceptoheshin si të pandjeshëm ndaj vështirësive të masave, dhe veçanërisht kur dukej se përfitonin nga këto vështirësi (ose thjesht dyshoheshin se e bënin këtë), shoqëria u bë e paqëndrueshme, duke çuar në trazira të hapura”, shkruan Alfani, i cili e shikon me shqetësim, si pamundësinë e shteteve për të rritur taksat për të pasurit, ashtu edhe katapultimin e drejtpërdrejtë të të pasurve në politikë. Për Alfanin ky trend përfaqëson prishjen e një “kontrate shoqërore shekullore”, pasojat e së cilës janë të panjohura dhe të rrezikshme.

Për më tepër, nuk është vetëm fakti që të pasurit kontribuojnë më pak në mirëqenien e përbashkët, por edhe distanca midis atyre pak që kanë shumë dhe shumë-shumë para, si dhe atyre që kanë pak dhe shumë pak para, po bëhet gjithnjë e më e theksuar.

Por pabarazitë shumë të theksuara sociale kanë edhe pasoja politike, sepse ato e bëjnë demokracinë të funksionojë më keq. Shtetet formalisht mbeten demokratike, por klasat më të pasura shoqërore kanë një disproporcion të pushtetit sepse kontrollojnë burimet e nevojshme për funksionimin e makinës demokratike (vetëm mendoni për financimin e fushatave elektorale). Kjo është arsyeja pse sigurimi i një shpërndarjeje më të barabartë të pasurisë nuk është vetëm një çështje ekonomike.

Top Channel