Më datë 18.08.2020 Erzeni pasi ka marrë në posedim aparatin telefonik me SkyECC, i dërgon mesazh zanor. Komunikon me djalin e tij Eralbi Breçani dhe i tregon që aparatin telefonik ia ka blerë Bujar Ajeti për shkak se janë përgjuar. Erzeni i tregon që ka patur një bisedë me Ervin Matën dhe ky i fundit i ka ofruar 500 mijë euro borxh për ta ndihmuar për ndërtimin e një HEC-i, por Erzeni ka refuzuar.
Ai i kërkon të birit që mos të vazhdojë me aktivitetin e tij jashtë shtetit duke rrezikuar dhe për t’i vënë në dukje rrezikshmërinë i tregon edhe për rastin qe e ka përgjuar policia së bashku me Bujar Ajetin. Ata shkëmbejnë mesazhet:
‘Ç’a je ka bani ju? Si asht Ervini?…Nuk pata kohë me të thanë se mtha mue po ti dergoj nga llogaria e elvanes 500 mij euro borxh…E maroj punet sa t’i kalosh kto halle…I thashë jo ne asnje menyrë…I ka Eralbi po nuk ka me ç’ka i sjell tha, kam njerez une që i sjellin sa te dush… Tash sa ka i bjen ne mend hic per HEC-in me than te drejten….Me mujt me gjet noj lek me i ruejt per noj sëmundje se fola me Bardhin e ka pas ka pague i rrug hekur e gjys pagese Ramizit e nuk kem pague as punëtoret gati një muaj. Ruje veten ti eme kan shnosh per veti e lej punt që rrezikojnë se apo e shef si mu kan vu mue e Bujarit, tan shteti ne shpin…’- thotë Breçani.
Koncesioni me afat 35 vite për ndërtimin e HEC Drita është dhënë më 12 korrik 2019 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit . Në vitin 2022 shoqërisë me administrator vëllain e Erzenit Ftabardh Breçani, i është pezulluar aktiviteti
Po ashtu dyshohet se ai ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal, duke i dhënë informacione shtetasve Bujare Ajeti Gërmizi si dhe Nuredin Dumanit në mënyrë që këta shtetas t’i shmanden arrestimit nga policia gjyqësore. Sipas dosjes, nga informacioni i dhënë nga Erzen Breçani, ka ndikuar që shtetasi Bujar Ajeti Gërmizi dhe Nuredin Dumani të shmangin komunikimet ose lëvizjet që mund të sillnin arrestimin e tyre.
Erzen Breçani dhe Bujar Gërmizi njihen prej shumë vitesh për shkak se Bujar Gërmizi vinte nga radhët e policisë dhe vinte nga radhët e Forcave speciale. Bujar Gërmizi në atë kohë ishte njeriu që mbështeste dhe strehonte të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani. Një moment thuhet që Gërmizi i ka dhënë një celular të enkriptuar Erzen Breçanit, celular i cili është rimbushur kur është përdorur më herët nga Dumani. Djali i tij, Eralb Breçani është po ashtu mes personave të kërkuar.
Nga 11 persona për të cilët ishin lëshuar urdhra arresti, u kapën vetëm 5 prej tyre, ndërsa të tjerët rezultojnë të jenë jashtë Shqipërie. Në pranga përfundoi ish zëvendës Drejtori i Policisë së Tiranës Erzen Breçani; drejtuesi aktual i Hetimit të Krimit në Komisariatin 6 në Tiranë Dedan Gjoni; Bujar Gërmizi, një personazh, i cili dyshohet të ketë aktivitet të ndjeshëm në trafikun e drogës, si dhe Besmir Murati, i lidhur ngushtë me Gërmizin.