Një sherr me sende të forta ka ndodhur një ditë më parë në fshatin Gjegjan të Pukës.
Florin Zefi, Bardhe Zefi dhe Kol Marku kanë mbetur të plagosur si pasojë e konfliktit që lindi mes dy familjeve për motive pronësie.
Në media janë publikuar pamjet e sherrit me kosore dhe sëpata mes familjarëve Marku dhe Zefi.
Ndërkohë mëngjesin e sotëm ka pasur sërish incidente, teksa mësohet se i është thyer xhami i makinës që drejtonte Hil Zefi. Ky i fundit ka bërë denoncim në polici duke thënë se e kanë gjuajtur me gurë pjesëtarë të familjes Marku. Ndërkohë familja Zefi thotë se nëse shteti s’ndërhyn, konflikti mes tyre do përshkallëzohet.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka arrestuar shtetasin Kol Marku 55-vjeç dhe Florin Zefi 36-vjeç, ndërsa ka shpallur në kërkim djalin e Markut.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmë, për një konflikt mes disa shtetasve, në fshatin Gjegjan, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë kanë kryer veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij konflikti. Në vijim të veprimeve janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
- K.M., 55 vjeç dhe F. Z., 36 vjeç, të dy banues në fshatin Gjegjan, Pukë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë konfliktuar për motive pronësie. Nga përdorimi i sende të forta gjatë konfliktit mbetën të dëmtuar këta dy shtetas dhe shtetasja B. Z. (nëna e shtetasit F. Z.), e cila mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në këtë konflikt dyshohet se është përfshirë edhe shtetasi K. K. (djali i shtetasit K. M.). Policia vijon punën për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.