,Ditën e nesërme, më 20 nëntor në orën 10.00 është afati i dytë në të cilin, ish-kryeministri Sali Berisha duhet të paraqitet në SPAK, para oficeres Adelajda Metaj, sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme.

Ky vendim u la në fuqi në seancën e verifikimit të kushteve më 26 tetor, ndërkohë që afati i parë për paraqitjen e Berishës, ishte e hëna e parë e muajit, më 6 nëntor.

Në afatin e parë, ish-kryeministri Sali Berisha nuk e zbatoi masën “detyrim paraqitje” duke zgjedhur të mos shkonte në afatin e caktuar në zyrën e oficeres së SPAK. Ai madje, u shfaq tek kryesia e Kuvendit me një grup deputetësh të rithemelimit pikërisht në kohën kur duhej të ishte para drejtësisë. Pas mosparaqitjes së Sali Berishës më 6 nëntor 2023, gjykata u dorëzoi avokatëve vendimin e zbardhur dhe dërgoi një letër në Kuvend, ku përpiqej ta njoftonte atë për vendimin në cilësinë e deputetit.

Sipas procedurës, nëse ish-kryeministri nuk paraqitet as në momentin e dytë të detyrimit të vendosur ndaj tij nga Gjykata, SPAK mund të kërkojë zëvendësimin e masës detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë shtetit. Masa e re, më e rëndë që mund të kërkohet është ajo e “arrestit në shtëpi” për të cilën duhet ti kërkohet autorizim parlamentit për heqjen e imunitetit ndaj Sali Berishës.

Në orën 09.00 të së hënës, gjykata e Apelit shqyrton edhe ankimin e avokatëve të tij ndaj vendimit të shkallës së parë. Mbrojtësit e Berishës, kanë kërkuar në Apel, deklarimin e humbjes së fuqisë së masës së parë, pikërisht pasi sipas tyre, ajo nuk është zbatuar brenda 48 orëve sipas neneve 248 dhe 249 të Kodit të Procedurës Penale. Apeli shqyrton njëherësh edhe ankimet e avokatëve të Jamarbër Malltezit që kërkojnë heqjen e masës arrest me burg dhe atë ndaj biznesmenit Fatmir Bektashi, për detyrim paraqitje e ndalim dalje jashtë shtetit.