Fatmir Mediu, deputeti i opozitës dhe ish-Ministri i Mbrojtjes ka reaguar pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Strasburgut për shpërblimin e familjeve të Gerdecit. Mediu tha se shpërblimi pavarësisht vendimit nuk do të jetë i mundur pas kalimit të gjithë kësaj kohe, sipas ish-ministrit.
Nga ana tjetër Mediu tha se në vitin 2009 i është kërkuar Gjykatës së Lartë me shkrim se nuk e njihnim imunitetin dhe ata thanë se duhet trajtuar institucionalisht.
“Pavarësisht se si ka vendosur Gjykata e Strasburgut, unë mendoj se familjarët nuk do të kompensohen dot në të gjitha pikëpamjet jo më në pikëpamjet financiare. Pastaj, konstatohet imuniteti im. Pas vitit 2009, ne i kemi kërkuar Gjykatës së Lartë me shkrim që nuk e njohim imunitetin dhe Gjykata e Lartë ka theksuar se kjo është një çështje institucionale dhe jo individuale. Nuk ka asnjë diskutim pavarësisht se mund të bëhen aludime, Gjykata e Strasburgut nuk ka përcaktuar fajësi apo pafajësi për Fatmir Mediun dhe konstaton se gjykimi është i vonuar në kohë. Në gjykimin tim është jashtë të gjitha afateve që parashikon ligji dhe Kodi Penal pasi çështja është parashkruar”-tha Mediu