Allahu e ruajtë harmoninë dhe e forcoftë bashkimin tonë kombëtar!

Dje dhe sot, respektivisht, më 6-7/11/2023, zhvillova vizita në Arqipeshkvinë e Shkodrës dhe në Kishën Ortodokse të qytetit, ku urova drejtuesit e tyre, mons. Angelo Massafra dhe At Nikolla Petani, me rastin e 33-vjetorit të përkujtimit të ngjarjeve historike kombëtare, që ndezën shpresën e rënies së sistemit ateist dhe shkëputjes së vendit nga diktatura komuniste.

Muaji nëntor i vitit 1990, me detajet e shumta që sollën zhvillimin e ceremonive të bujshme të shpresës e ngadhënjimit të besimit mbi femohimin; mesha masive në varret e Rrmajit dhe e xhumaja madhështore tek Xhamia e Plumbit, si dhe bashkëpunimi i pakushtëzuar në mesin e popullsisë, pa dallim feje, bënë që sot, e mot, të kemi plot ça të kujtojmë e të trashëgojmë ndër fëmijë e veçanërisht tek rinia e jonë.
Emrat e nderuar të Hafiz Sabri Koçit me shokë e Dom Simon Jubanit me shokë, mbetën të skalitur në memorien e atyre ditëve. Mirënjohja dhe respekti ndaj tyre, mbetet obligim moral e qytetar për të gjithë ne, brez pas brezi.
I propozova drejtuesve fetarë të Shkodrës, që të kërkojmë nga institucionet e vendit, që këto dy data, të shpallen ditë feste kombëtare, edhe si dëshmi e vlerave të harmonisë dhe bashkimit kombëtar në emër të Zotit, por edhe si gjurmë e ruajtjes së identitetit në diversitet.
Lutem me zemër, që ditë të begata të vijnë për popullin tonë, besimi në Zot të forcohet përherë e më shumë, përkushtimi ndaj njëri-tjetrit të rritet e vlerat e tabanit të ruhen e të trashëgohen, duke mos asnjeri, me çfarëdo lloj arsyetimi, që të prekë këto kode identitare në mesin tonë!
Allahu e ruajtë popullin tonë nga çdo ligësi, sprovë e rëndë e fara e përçarjes dhe afetarizmit, që siç thoshte Hafiz Ali Kraja: “Afetarizmi është një rrezik si për shoqëri ashtu për pjesëtarët e saj që janë fetarë. Besimi, pra, është gurra e cila ia bën të këndshme jetën njeriut dhe i jep atij shpresa për lumturi. Ai që është larg kësaj gurre është fatmjerë dhe sikur t’i zotërojë të gjitha mjetet materiale që i duhen në këtë jetë; ai është i mjerë se i mungojnë ndjenjat e larta morale të cilat do ta bënin atë të lumtur.

Afetarizmi nuk është vetëm një mjet shkatërrues për veten dhe për shoqërinë, por njëherazi edhe për familjen. Vetëm interesi e lidh afetarin me familje.”
Allahu e ruajtë harmoninë dhe e forcoftë bashkimin tonë kombëtar!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 7/11/2023