Ilir Kulla dhe Dorian Duçka janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, si dy persona në dijeni në lidhje me çështjen e CEZ-DIA. Ish-Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, Ilir Kulla u pa sot teksa hynte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme duke ngritur pikëpyetjet mbi praninë e tij. Ky i fundit deri më tani, nuk ka dhënë asnjë sqarim publik.

Ndërkohë, një javë më parë, ZËRI raportoi se në SPAK u paraqit edhe Dorian Duçka, personazh i njohur mes politikës shqiptare edhe për rolin e tij në publikimin e dosjes McGonigal.

Por burime për Zëri.ai, saktësojnë se Duçka nuk u thirr për çështjen McGonigal por për çështjen CEZ-DIA, dhe dijeninë e tij për abuzimin me vlerë 400 mln euro. Burimet shtojnë se SPAK ka rinisur verifikimet për CEZ-DIA dhe shkeljet e zyrtarëve të kohës në këtë aferë.

Por cili është roli i Kullës dhe Duçkës?

Në këtë çështje, ata janë dy persona që dyshohet se kanë udhëtuar me Kastriot Ismailajn, të akuzuarin kryesor të aferës, tashmë i liruar nga burgu. Në prill të vitit 2022, SPAK ka rihapur dosjen e CEZ-DIA të vjedhjes së parave publike. Hetimet po ndiqen nga vetë drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani.

Zëri.ai Ka zbuluar se Ilir Kulla dhe Dorian Duçka janë thirrur në SPAK për çështjen CEZ-DIA. Fillimisht u raportua se Duçka mund të ishte thirrur për dosjen e ish-agjentit amerikan, Charles McGonigal, por Zëri.ai ka zbuluar shkakun e vërtetë pse bashkë me Kullën janë paraqitur para SPAK. I pari që u paraqit para drejtësisë ishte Duçka, ndërsa pas tij, sot shkoi edhe ish-këshilltari i (ish) presidentit Ilir Meta.

Megjithatë, pasi kanë dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, asnjë nuk ka dhënë asnjë detaj lidhur me çfarë kanë biseduar brenda ambienteve të Prokurorisë. Deri më tani, që Zëri.ai zbuloi se bëhet fjalë për rihapjen e çështjes së bujshme, atë të CEZ DIA.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duket se ka hapur sërish dosjen e aferës CEZ-DIA, ku janë paditur ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Padia u bë nga juristi Romeo Kara. Për çështjen, kur dosja u hetua nga Prokuroria e Tiranës, në burg përfundoi vetëm kreu i DIA, Kastriot Ismaili. Juristi Kara në padinë që ka bërë në prokurori, ka dorëzuar 300 faqe.

Skandali i CEZ/DIA

Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA. Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo fundit ia u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona. Sipas Karajt, për këtë favor u kërkuan 10 milionë euro. Më pas, në vitin 2013, kur në pushtet erdhi Partia Socialiste, u bë edhe ndërprerja e kontratës që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.

Në fund të vitit 2015, Ministria e Energjisë dhe Industrisë që drejtohej nga Damian Gjiknuri, kallëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme ish ministrat (Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë etj) dhe ish drejtorët e Berishës për shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe shkelje, duke favorizuar CEZ me çmimin e energjisë elektrike, faljen e detyrimeve dhe njohjen e borxhit të keq. Por Prokuroria e Përgjithshme e mbylli dosjen. I vetmi i dënuar ishte Kastriot Ismailaj, pronari i Kompanisë DIA. Ish-administratori i DIA-s u vërtetua fajtor për akuzat penale “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”. Teksa kërkoi lirinë, ai paraqiti 132 prova të reja, për të cilat argumentoi se nuk kishte pasur mundësi t’i siguronte më parë. Megjithatë sipas Prokurorisë së Tiranës, biznesmeni Ismailaj i ka konsumuar veprat penale gjatë marrëveshjes CEZ-DIA, duke përfituar përmes mashtrimit një shumë prej 5 milionë euro. Pavarësisht kërkesave të tij të njëpasnjëshme për liri, ai u doli nga burgu në shtator të këtij viti, pas 9 vitesh burg./Zëri.ai