Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për frenimin e valës së emigrantëve në shtetin fqinj. Lajmi u bë me dije gjatë një konference për shtyp mes kryeministres së Italisë Giorgia Meloni dhe kryeministrit Edi Rama, një marrëveshja e cila sipas kryeministres italiane pasqyron miqësinë mes dy vendeve.

Në bazë të marrëveshjes, Italia do të financojë dy struktura qendra për të menaxhuar emigrantët e paligjshëm. Këto struktura fillimisht do të presin deri në 3 mijë persona që do të qëndrojnë aty kohën e nevojshme për të shqyrtuar kërkesat për azil. Fluksi vjetor mund të arrijë deri në 36 mijë persona.

Meloni deklaroi se në Portin e Shëngjinit do të ngrihet qendra për pritjen e refugjatëve që do të jetë nën juridiksionin e Italisë, dhe një tjetër strukturë do të ngrihet në Gjadër për akomodimin e tyre, deri sa të shqyrtohen kërkesat për azil, ndërsa Shqipëria do të kontribuojë vetëm me sigurinë. Kjo qendër parashikohet që të jetë gati në pranverën e ardhshme.

‘Kemi marrëdhënie shumë të shkëlqyera, të larta, të forta midis komuniteteve tona dhe që finalizon edhe në bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe kemi pjesëtarë, anëtarë të shoqërisë tonë që janë të pranishëm në Itali dhe ky bashkëpunim bëhet akoma më i frytshëm në bashkëpunimin që kemi. Dhe një muaj më parë në një takim që kemi bërë, kemi pasur edhe iniciativa në lidhje ndërmarrjen e hapave të përbashkëta, sa i përket migrimit. Sepse sidomos fenomeni nuk përballohet vetëm dhe kemi qenë në këtë ekuacion midis trajtimit brenda BE dhe jashtë BE. Dhe gjeja më e mirë për t’u bërë ka qenë pikërisht ky forcim i bashkëpunimit dhe kemi punuar së bashku për të përforcuar këtë marrëveshje dhe këtë bashkëpunim, i cili fikson tre objektiva: luftën kundër trafikut të paligjshëm dhe jo vetëm pritjes të refugjatëve për ata që kanë rekuizitën dhe Shqipëria do të japë mbështetjen e saj për të përdorur disa zona të vendit të Shqipërisë dhe Italia mund të operojë sipas dhe pjesës ekonomike me financat e Italisë për të bërë këtë lloj seleksionimi.

Dhe refugjatët, ata që kërkojnë azil do të mbeten në këto territore dhe do të seleksionohen midis atyre që kanë të drejtë dhe jo. Si për numër popullsie refugjatesh kemi një kapiencë 3000 persona sipas një regjimi të caktuar. Flasim nëpërmjet flukseve dhe ky fluks në vit mund të arrijë deri në 36 mijë persona dhe që mund të alternohet si më pak ose më shumë dhe kjo marrëveshje nuk përfshin të miturit, gratë shtatëzanë dhe grupet e tjera vulnerabël. Juridiksioni i këtyre qendrave do të jetë italiane. Në portin e Shëngjinit, Italia do të angazhohet me procedurat e zbarkimit dhe të seleksionimit, do të realizohet një qendër e pritjes dhe të screening dhe do të ketë një strukturë tjetër që janë në vazhdimësi të kësaj strukturës së parë të parë të screening. Pastaj pjesa shqiptare do të merret me gatishmërinë e observimit dhe ky protokoll që firmosim sot ka një kornizë politike dhe juridike të bashkëpunimit tonë. Pastaj marrëveshje të tjera do të ndjekin më pas. Në lidhje me këtë lloj bashkëpunimi, kemi qellim që të jetë operative në pranverën e ardhshme.’- tha kryeministrja Meloni.

Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e flukseve migratore i nënshkruar sot, sipas mediave italiane, nuk vlen për emigrantët që mbërrijnë në brigjet dhe territorin italian, por për ata të shpëtuar në det, ku bëhet përjashtim për të miturit, gratë shtatzëna dhe subjektet vulnerabël.

Në fjalën e tij Rama tha se kjo marrëveshje është mbështetje për Italinë e cila shumë vite më parë mikpriti shqiptarët që u larguan për një jetë të re.

“Ne nuk do ta bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër apo shtet të BE-së, me gjithë respektin, por ka një lidhje mes Shqipërisë e Italinë dhe Shqiptarët e italianët. Nuk besoj që do të jemi në gjëndje që në vitet që do të vijnë të paguajmë borxhin që kemi drejt Italisë popullit dhe institucioneve të Italisë për atë që kanë bërë për ne nga dita që kemi arritur në këtë anë të bregut të detit për të gjetur mbështetje. Në këtë rast do të thotë për të ndihmuar dhe menaxhuar një situatë që është e vështirë për Italinë. E vërteta është që nga gjeografia është kthyer në mallkim. Shqipëria ka një histori të mikriptjes. Është një vend ku mijëra italianë, kanë gjetur mbrojtje nga shqiptarët.’- tha Rama.

Të dy kryeministrat thanë se marrëveshja tregon marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, teksa objektivat janë të trafikimin e qenieve njerëzore, të parandalojë emigracionin e paligjshëm dhe të presë vetëm ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes.