Duke qenë se viti 2024 është afër, revistat e udhëtimit po nxjerrin në pah rekomandimet për udhëtimet në vitin e ardhshëm, kështu që National Geographic së fundmi publikoi një listë të destinacioneve ‘më të lezetshme’ për vitin 2024.

Lista përfshin 30 destinacione në të gjithë botën, duke nisur nga Alpet Shqiptare e deri te pyjet e Andrefanës në Madagaskar. Evropa dominon pothuajse gjysmën e listës me 13 destinacione, duke përfshirë kryeqytetin e Maltës, Valetta dhe Pompein në Itali.

Në vendin e parë të “The Cool List 2024” ndodhen Alpet Shqiptare – masivi malor nga veriu i Shqipërisë në jug të Kosovës dhe në verilindje të Malit të Zi.

“Kjo mbretëri e majave të thepisura karstike është një ëndërr për alpinistët, ku rrëqebullët enden nëpër pyjet e bredhit dhe lulet e egra mbulojnë bazën e luginës. Ata që kërkojnë të trajtojnë shtigjet sfiduese të rajonit mund të nisen në një turne të ri, tetë-ditor, të vetë-drejtuar me Walks Worldwide, i cili ofron një itinerar që përfshin udhëtime nëpër kalimet malore, shtëpi tradicionale dhe një vizitë në fshatin Theth, duke filluar nga pika e shtegut për ecje në Majat e Ballkanit”, shkruan mes tjerash në artikull.

Në vendin e dytë në listë është Belfasti, ndërsa thuhet se ky qytet në Irlandën e Veriut përjetoi një rritje të numrit të vizitorëve gjatë viteve 2010, pjesërisht i tërhequr nga muzeu i ri, “Titanic Experience”. Në vendin e tretë është Emilia-Romagna në Itali, e ndjekur nga Galloway dhe Southern Ayrshire në Skoci, Nordland në Norvegji, si dhe North Yorkshire në Angli.
Gadishulli Jukatan i Meksikës është një tjetër destinacion i theksuar si një nga më emocionuesit për të udhëtuar vitin e ardhshëm dhe nuk është për t’u habitur, duke qenë se Merida, qyteti më i madh i vendit, gjithashtu u rendit në listën e destinacioneve në trend.
Destinacionet e tjera përfshijnë Sikkim në Indi, i cili krenohet me pamje mahnitëse të Himalajeve dhe Victoria në Australi, falë një udhëtimi të ri që viziton burimet e nxehta termale të zonës.