Pas 20 vitesh në emigrim në Amerikë, vendosi të kthehej në Shqipëri për të investuar në Shllak, në vendin e të parëve të tij.

Ky është Nikolin Shqau i cili në vitet ‘90 emigroi si një pjesë e shqiptarëve në Amerikë.

“Kam jetuar prej 20 vitesh në Amerikë dhe kam investuar këtu të gjithë të ardhurat e mia që kam fituar gjatë jetës teme. I kam investuar në Shllak. Këtu kam ndërtuar një stallë me lopë dhe viça”, thotë ai për Euronews Albania.

Prej 3 vitesh po ndërton në këtë zonë një fermë, e cila më pas do të shërbejë për të pritur turistë të shumtë dhe për të zhvilluar të gjithë zonën, por mungesa e energjisë elektrike, po e bën këtë investim pothuajse të pamundur .

“Mund të jenë individë që nuk e duan zhvillimin e zonës pasi unë jam që Shllaku të njihet jo vetëm për hashash, por dhe për agroturizën dhe turizëm.

Ne nuk kemi dritë elektrike. Në fakt në kohën e Enver Hoxhës kanë qenë dritat por gjatë revolucionit që ndodhi në 97’ në Shqipëri, dritat u hoqën dhe njerëzit ikën prej zonës. Kanë hequr shtyllat”, tha ai.

Pasi u interesua pranë OSHEE, përgjigjja që ju dha fermerit ishte “ të shkelë“ ligjin.

“Kam shkuar te OSHEE dhe i kam kërkuar për të vendos dritat dhe ata më kanë thënë “ bani vetë” sepse në hartë është e regjistruar që ju i keni dritat atje

Unë mendoj se ata kërkojnë lekë. Unë ngaqë nuk i paguaj bashkisë kërkujt në mënyrë absolute ata më thonë “shko lidhi dritat vetë”. Unë jam biznes nuk kam si t’i lidh dritat vetë pasi po shkova dhe i lidha dritat vetë në mënyrë ilegale, mua më penalizojnë si biznes.”- tha ai.

Pavarësisht këtyre vështirësive, fermeri po vijon punën për të ndërtuar fermën e tij me shpresën se një ditë shteti do të vendos të zhvillojë elementet më bazik të jetës në Shllak, rrugën dhe energjinë elektrike.

Euronews Albania kontaktoi me OSHEE në lidhje me këtë problematikë, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga ky institucion.