Rreth 33.4% të shpenzimeve të përgjithshme publike për vitin 2024 do të shkojë për pensionistët, familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike apo ata që marrin pagesë paaftësie. Këtë gjë e bëri të ditur së fundmi ministri i Financave Ervin Mete, i cili tha se kjo mbështetje do të jetë një indeksim për këtë kategori. “Financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, duke alokuar rreth 33.4% të shpenzimeve të përgjithshme publike për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, bonusin e bebes etj”, tha Mete.

Ja çfarë do të ndodhë në 2024
Gjithashtu Mete bëri të ditur se projektbuxheti i vitit 2024 synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqenies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor, si edhe mbrojtjen e kategorive sociale, duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin e mëtejshëm fiskal. Sipas tij, projektbuxheti 2024 tejkalon për herë të parë 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara dhe në të njëjtën kohë projekton uljen e borxhit publik, pa u shoqëruar nga masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek miradministrimi fiskal. Synimi i këtij projektbuxheti, tha ai, është t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë dhe të mbështesë më tej rritjen ekonomike. “Siç vlerësoi edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, ndërkohë që perspektiva ekonomike në vazhdim mbetet pozitive. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, u shpreh Mete.

Fondamentet makroekonomike, theksoi ai, kanë rezultuar të qëndrueshme gjatë kësaj periudhe sfidash. Sipas Metes, kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të ekonomisë, si edhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend. “Nisur nga kjo ecuri e mirë, ne kemi rishikuar për sipër projeksionet tona për rritjen reale të këtij viti, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar. Edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rishikuar në rritje parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2023. Sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikojmë një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim”, deklaroi ministri.

Ekonomia shqiptare në rritje
Mete solli në vëmendje se edhe agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Standard & Poor’s” rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive. Ky rishikim, pas gati shtatë vitesh, u shpreh Mete, është një tregues i progresit dhe trendit pozitiv të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu, është pasqyrë e politikave ekonomike, menaxhimit të kujdesshëm fiskal dhe përpjekjeve pozitive në zbatimin e reformave strukturore. “Siç jeni në dijeni, së fundmi morëm edhe lajmin e mirë të daljes së Shqipërisë nga lista gri e FATF/MONEYVAL (Taskforcës për Veprim Financiar). Vendimi vjen si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve. Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe sa i përket perspektivës së zhvillimit ekonomik, klimës së biznesit, investimeve, si edhe lehtësimit të kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh ai më tej.

Ndërkohë, vuri në dukje, Mete, sektori financiar, mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid për të mbështetur kreditimin dhe rritjen e mëtejshme ekonomike. Sa i takon inflacionit, Mete bëri të ditur se ai ka qëndruar në nivele më të ulëta se vendet e rajonit dhe se mesatarja e vendeve të BE-së. Aktualisht, në muajin shtator 2023, inflacioni ka zbritur në nivelin 4.1%, i përgjysmuar krahasuar me një vit më parë. Ministri informoi se të ardhurat buxhetore në raport me PBB për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB, nga 27% që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022.