Referuar të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë rreth “Huatve për individët sipas rrethit dhe qëllimit të përdorimit”, në tremujorin e tretë të këtij viti, në total portofoli i huasë arriti në vlerën e 267 milionë lekëve. Krahasuar me tremujorin paraardhës kemi të bëjmë me një rritje prej 2.8% ose në vlerë absolute me 7.2 milionë lekë më shumë. Pothuajse të gjithë rrethet kanë reflektuar një rritje të huave për individët, por përjashtim bën qarku i Shkodrës dhe ai i Lezhës të cilët kanë shënuar rënie me 1.03% dhe 0.61% respektivisht.

Ndërkohë, rritjen më të lartë e ka patur qarku i Durrësit me 4.4%, ndjekur nga qarku i Tiranës me 3.3%. Elbasani e ka zgjeruar portofolin e huave me 2.6%, ndërsa qarqet e tjera si Korça, Vlora dhe Fieri kanë shënuar një rritje të nivelit të huasë nga 1.4% deri në 2%. Sipas të dhënave zyrtare nivelin më të lartë të huave totale e gëzon qarku i Tiranës me plot 174 mln lekë, duke zënë kështu 65% të totalit të huave.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat edhe sipas qëllimit të përdorimit të huasë nga individët, për të identifikuar kështu ndryshimet tremujore të huasë konsumatore dhe asaj për blerje banesash. Huaja për blerje banesash ka rënë në të gjitha qarqet përjashtuar qarkut të Tiranës, ku ka patur një rritje prej 4.6%. Rënien më të madhe të huasë që individët kanë përdorur për blerjen e një pasurie të paluajtshme (banesë) e ka shënuar qarku i Shkodrës me 5.3%, ku në vlerë monetare kjo rënie përllogaritet rreth 0.5 mln lekë. Rënia ka qenë e konsiderueshme edhe në qarqet si Durrësi me 4.7% dhe Elbasani me 2.7% .

Krahas blerjes së banesës individët marrin hua edhe për konsum, ku konstatojmë se edhe nivelet e kësaj kategorie të huasë janë rritur. Rritja më e lartë rezulton të jetë në qarkun e Durrësit me 24.8% dhe në qarkun e Elbasanit me 10.16%, ndërsa qarqet e tjera kanë patur rritje më të lehtë. Ndërkohë që kryeqytetasit kanë ulur kërkesën për huanë konsumatore me 1.67%.

Armela Duka/SCAN

Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.