Seanca e Kuvendit këtë të enjte u zhvillua në këmbë sepse deputetet e “Rithemelimit” realizuan atë që Sali Berisha e quajti ‘grevë e përkohshme’.
Mbështetësit e tij krijuan një barrikadë me karriget e deputetëve socialistë duke bllokuar foltoren e Kuvendit. Në këtë aksion opozitar ndodhën edhe përplasje fizike.
Mes tensioneve Kuvendi vazhdoi punën në një situatë të pazakontë kur mbështetësit e Berishës bërtisnin dhe bënin zhurmë duke goditur karriget. Ndërsa socialistët mbajtën fjalime e miratuan 21 projektligje dhe projektvendime.
Protesta e deputetit Ervin Salianji përfshi edhe ndezjen e flakadanëve gjatë së cilës ka ndërhyrë edhe garda. Ky veprim i gardistit është komentuar nga demokratët si sulm fizik, ndaj tyre nga një person i armatosur. Deputeti Salainji shpjegoi edhe motivet e protestës.
“Është buxhet për njerëzit e lidhur me Partinë Socialiste. Prandaj ditën që ka diskutim buxheti, Partia Socialiste e ka festë për të ngrënë bakllava”, tha Salianji.
Pasi seanca u mbyll Sali Berisha doli para gazetarëve për të shpjeguar qëllimin e këtij aksioni.
“Ne nuk heqim dorë, e kanë gabim. Ne kërkojmë që përfaqësuesit tonë në komision dhe kudo t’i caktojë grupi parlamentar dhe jo Edi Rama”, tha Berisha.
Socialisti Erion Brace për atë që ndodhi në kuvend dha këtë pikëpamje.
“Po kjo është një gjuhë komunikimi me Prokurorët dhe gjyqtarët e çështjes në SPAK dhe në Gjykatën Speciale kjo është tjetër histori”, tha Braçe.
Deputeti Salianji tha se protesta do vazhdojë.
“Ditë për ditë ne po e përshkallëzojmë aksionin parlamentar dhe do të përshkallëzojmë çdo aksion tjetër”, tha Salianji.
Seanca u mbyll dhe vendin e deputetëve e zunë oficerët e policisë gjyqësore të cilët nisën mbledhjen e provave për llogari të hetimit të SPAK për incidentet në sallën plenare. Por pikërisht për këtë hetim reagoi sërish Berisha. Ai tha se gardisti që u përball me Salianin, ishte i armatosur. Ndërsa Gamzed Bardhi, në rolin e kryetarit të grupit parlamentar, tha se do të bëhej padi penale në SPAK për kryetaren e kuvendit Lindita Nikolla, për shpërdorim detyre sepse kishte futur gardën e republikës në sallën e Kuvendit./ Top Channel