Mbështetja buxhetore për sektorin e ujësjellës – kanalizimeve do të pësojë rritje gjatë vitit që vjen. Sipas projektbuxhetit 2024, investimet publike me financim të brendshëm për këtë sektor parashikohen në 8.8 mld lekë, nga 7.3 mld lekë që ishte gjatë vitit 2023. Ndërkohë që, lista e projekteve që do mbështeten përfshin një sërë investimesh të reja që do të kryhen nga shoqëritë rajonale, që u krijuan pas reformës në sektor.

Paralelisht, është edhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime, që gjithashtu do të menaxhojë një pjesë të projekteve që parashikohet të nisin gjatë vitit 2024. Investimet e reja kapin një vlerë totale prej rreth 1 mld lekësh, ndërkohë që pjesa tjerë janë financim për projekte që tashmë kanë nisur.

Sa i takon disa prej projekteve që do të marrin më shumë financim, në krye të listës është furnizimi me ujë i zonave bregdetare, që janë zona të investimit strategjik e më konkretisht Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi, me 267.6 mln lekë.

Pas tij vjen rikonstruksioni i magjistralit kryesor dhe rrjetit të brendshëm të ujësjellësit të qytetit Patos, me 226.7 mln lekë. Një nga projektet më të financuar është edhe ujësjellësi i zonës së ujit të ftohtë, lungomares dhe shkolla e Marinës në Vlorë, me 209 mln lekë. Ndërkaq, sa i takon projekteve me financim të huaj, ato kapin vlerën e 2.2 mld lekëve, 678 mln prej të cilave janë grant dhe pjesa tjetër kredi.

Sipas relacionit që shoqëron projektbuxhetin në kuvend, me investimet në sektor synohet reduktimi i humbjeve në rrjet në nivel kombëtar në masën 57% në vitin 2026 nga 63% që parashikohet në vitin 2023, ndërkohë që orët mesatare të furnizimit me ujë të pijshëm synohet të rriten në 19 orë/ditë në vitin 2026 nga 16 orë/ditë në vitin 2023.

Ola Mitre / SCAN

Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.