Është në vitin e fundit të shkollës së lartë për marrëdhënie ndërkombëtare dhe ka vendosur që një semestër ta kalojë në auditoret e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Tania Gmelsh Körke ka filluar tashmë të ambientohet me Shkodrën.
“Unë jam Tani Korke, vij nga Spanja, e lindur në Madrid, por pjesa më e madhe e familjes sime është nga Gjermania, gjithashtu edhe nga Spanja. Jam studente e marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Tania tregon se nuk e kishte menduar ndonjëherë ardhjen ne Shqipëri. Por kur iu dha mundësia nuk hezitoi pasi më herët kishte lexuar shkrime e parë foto ndaj e dinte që po vizitonte një vend të bukur.
“ Pse erdha të studioi këtu në Shqipëri? Nuk është se kam një arsye specifike, se pse vendosa. Mu dha mundësia. Por e di që nëse nuk kërkon diçka të re, nuk tenton të zbulosh, nuk do bëhesh asnjëherë ajo që kërkon të behësh. Nuk e di, saktësisht, por mu dha mundësia e kapa, dhe thash pse jo. Kam parë fotografi në internet, video, shkrime në revista nga njerëzit që kanë qenë këtu, dhe ato ishin shumë të bukura, dhe thash pse jo. Dhe mendoj se kjo ka qenë një nga arsyet pse erdha. Pastaj janë leksionet që unë marr, unë po ndjek leksionet në Fakultetin e Ekonomisë dhe në Fakultetin e Gjuhëve të huaja. Momentalisht po ndjek leksionet e aftësive të prezantimit, kërkimin metodologjik, si dhe menaxhimin ndërkombëtar të turizmit dhe zhvillimi I qëndrueshëm I turizmit”
Tani nuk e ka frikë mungesën e njohjes së gjuhës shqipe. Në Shkodër ndihet mirë, njerëzit e kanë mirëpritur.
“ Gjithë njerëzit që kam takuar deri tani, student, profesorët, të gjithë janë sjellë mirë me mua. Duket se të gjithë dëshirojnë që unë të ndjehem mirë. Mikpritja është e shkëlqyeshme. Por kam pak vështirë pasi unë di vetëm disa fjalë në gjuhën shqipe, por kam vendosur që të mësoj më shumë dhe të integrohem sado pak.”
Ndryshimi i vendit dhe gjetja e miqve të rinj është gjithmonë e vështirë, por ajo ka nisur të përshtatet.
“Kam qenë vetëm në disa leksione, dhe nuk mund të them se jemi me të vërtetë miq! Kam takuar disa njerëz shumë të mirë të cilët më kanë ndihmuar me librat, kemi shkëmbyer numrat e telefonit, nuk mund të them se I kam miq për momentin, por janë sjellë shumë mirë me mua, por mund të them se do i kem miq në të ardhmen.”
Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e kalon në auditorët e universitetit ajo ka parë edhe qytetin e Shkodrës ku ka filluar edhe të zbuloj për historinë dhe kulturën…
“ Më pëlqen shumë, edhe pse nuk është qytet I madh. Është një ndryshim që unë po e shijoj. Gjithashtu më shijojnë edhe pjesa e rrugëve kryesore që janë plot me njerëz, dhe plote me jetë, ku ka edhe muzikë. Gjithashtu kënaqëm duke zbuluar gjëra të reja, siç është mënyra e jetës, kultura qe nuk e njoh fare. Më pëlqen shumë esenca e këtij qyteti, pasi edhe kur nuk ecën rrugëve kryesore sheh gjëra tjera të reja”.
Tani Körke ndodhet në Shkodër në kuadër të programit Erasmus+, program i Bashkimit Evropian që mbështet financiarisht një sërë aktivitetesh në fushën e Arsimit, Trajnimit, Rinisë dhe Sportit.