Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq dy policë gjyqësorë, shefin e Klubit Sportiv të Bashkisë Gramsh) dhe një qytetar, që kishte rolin e sekserit.
Në përfundim të hetimeve të këtij procedimi penal ka rezultuar se të pandehurit Lirian Taragjini dhe Zenel Taragjini, në bashkëpunim me njeri tjetrin, kane arritur të japin përfitim të parregullt si dhe të ushtrojnë ndikim të paligjshëm tek i pandehuri Çelnik Toska (me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Gramsh) dhe tek i pandehuri Lulzim Hasa (me detyrë Punonjës i Bashkisë Gramsh) duke i dhënë shumat 50.000 dhe 150.000 lekë të reja (si dhe përfitime të tjera), për të realizuar nxjerrjen e automjetit të sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Kurse i pandehuri Sefer Shuka në funksionin e Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore Elbasan ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal pasi nuk ka marrë kallëzimin si dhe nuk ka referuar faktin penal të denoncuar nga shtetasi Lirian Taragjini.