Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur, për betejën e re kundër qeverisë, e nisur sot me aksionin në Kuvend, duke bllokuar foltoren dhe moslejimin e zhvillimit normal të seancës. I ftuar në emisionin “Open” në News24, Berisha foli për mekanizmat që do të ndiqen për të arritur qëllimin, ndërsa shtoi se tashmë nuk ka mbetur asnjë rrugë tjetër.
“Mjetet që do të përdorim janë ato që ka përdorur çdo lëvizje popullore për realizimin e objektivave. Kemi konsumuar deri sot me durim të tejskajshëm mundësitë e tjera, derisa jemi gjetur de facto të përjashtuar nga Parlamenti. Të zhveshur nga çdo lloj funksioni kushtetues si deputetë, në këtë mënyrë Rama pasi grabiti qindra mijëra vota me mekanizmat e njohura, tani kërkon që dhe ata që nuk grabiti dot dhe që votuan për opozitën, t’i sekuestrojë. Sot jemi në kushte që nuk kemi qenë kurrë në Parlament, ku çdo e drejtë kushtetuese i mohohet dhe zëvendësohet opozita e vërtetë me peng-opozitën. Ne kemi dorëzuar ligje dhe rezoluta që Rama i arkivon në sirtarët e Nikollës, që nuk mund të ndodhë kurrë. Kemi kërkuar 6 komisione Parlamentare, që është taksativ nga Kushtetuta, dhe këta e kanë kundërshtuar me qëllimin e vetëm, sepse Rama nuk mund të pranojë të hetohet afera McGonigal. Sepse ai me McGonigal dhe Agron Nezën kanë vepruar si grup kriminal. Nuk kanë dhënë asnjë argument për rrëzimin e kërkesave tona për ngritjen e Komisioneve. Shkeljet e panumërta të ligjit të konfliktit të interesit janë te Rama dhe familja e tij, ai sot nuk duhet të kishte imunitetin e deputetit. Dhe ai nuk e lejon këtë, nuk lejon hetimin e aferave sepse është pas tyre”, tha Berisha.