Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, kërkoi sot garantimin e votës së emigrantëve. Soreca ishte i pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare “Votimi nga jashtë vendit”, nga ku theksoi se Shqipërisë do t’i duhet të vendosë si ta vërë në zbatim votimin nga jashtë vendit.

Soreca: E drejta për të votuar është një e drejtë e rëndësishme politike e njeriut dhe në botën që jetojmë, t’u ofrosh qytetarëve që jetojnë jashtë që të votojnë në vendin e origjinës, është shumë e rëndësishme dhe gjëja e duhur për t’u bërë. Sa i përket votimit nga jashtë vendit, është shumë e rëndësishme, pavarësisht sfidave që sjellë ky opsion. Nuk është e lehtë dhe ka sfidat e veta është një ndërmarrje e madhe administrative dhe kosto të mëdha financiare. Shumë vende kanë patur probleme për të gjetur formulën e duhur, por kjo do të thotë se ka shumë ku të mësosh. Në fund Shqipërisë do t’i duhet të vendosë si ta vërë në zbatim votimin nga jashtë vendit.

Do të duhet të ofrojë garanci të konsiderueshme të integritetit zgjedhor, si psh. fshehtësinë e votës, garën e drejtë, përfaqësimin e drejtë. Kur të krijohet ky sistem i ri, ne besojmë që është i një rëndësie shumë të madhe që procesi të jetë i gjerë sa i përket konsultimit dhe të kërkohet konsensusi i të gjithë aktorëve të përfshirë.